
Shkup, 15.04.2025 – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, Izet Mexhiti, sot mbajti një takim pune me përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe shoqatave të qytetarëve që veprojnë në fushën e mjedisit jetësor, ku informoi për thirrjen për ndarjen e mjeteve për financimin dhe realizimin e programeve, projekteve dhe aktiviteteve të tjera nga fusha e mjedisit jetësor për vitin 2025.
Gjatë takimit, Mexhiti theksoi rëndësinë që organizatat joqeveritare të aplikojnë në këtë thirrje.
“Qëllimi i këtij Programi është të nxisim dhe financojmë projekte konkrete, aktivitete dhe iniciativa që do të kontribuojnë në mbrojtjen, përmirësimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit tonë jetësor – diçka që është thelbësore për shëndetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë,” deklaroi Mexhiti, duke shtuar se OJQ-të kanë një rol të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes publike, edukimin dhe trajnimet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.
Një pjesë e këtyre mjeteve financiare, siç informoi Mexhiti, sigurohen nga taksa ekologjike gjatë regjistrimit të automjeteve motorike, një pjesë nga kompensimi për qeset bio-degraduese të blerjeve, kompensimi që paguhet nga operatorët e instalacioneve me leje të integruar ekologjike A, si dhe nga shërbime të tjera qeveritare – që në praktikë do të thotë se paratë e qytetarëve po u kthehen sërish qytetarëve.
Në takim u theksua se transparenca dhe objektiviteti janë baza e qasjes së Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa kriteret për OJQ-të janë që të jenë të regjistruara të paktën një vit para shpalljes së thirrjes, të veprojnë në interes të publikut dhe të mos kenë dorëzuar të njëjtin projekt për financim edhe në burime të tjera.
Afati për aplikim është deri më 29 prill, në formularë dhe forma të veçanta të cilat janë të disponueshme në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë.