Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ana Lashkoska, mbajti një fjalim hyrës në ngjarjen përfundimtare, ku u prezantuan rezultatet dhe arritjet e projektit "Aktivizimi i të rinjve për lumenj të qëndrueshëm: Mbrojtja dhe ruajtja e biodiversitetit të lumit Treska".
Projekti po implementohet nga Analitika - Shkup me mbështetje nga Ambasada e Kanadasë për Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, dhe qëllimi i saj është të nxisë aksione konkrete për përmirësimin e gjendjes së ujit në lumin Treska, si dhe mbrojtjen e florës dhe faunës lokale, përmes krijimit të partneriteteve ndërmjet të rinjve, organizatave qytetare dhe autoriteteve lokale dhe kombëtare.
Zëvendësministrja Lashkoska përshëndeti përfshirjen e të rinjve në projekte të tilla kërkimore:
- Ky projekt mundësoi mësimin e teknikave për grumbullimin e të dhënave nga terreni, analizën e mostrave dhe matjen e parametrave të ujit dhe mjedisit. Në këtë mënyrë, të rinjtë, përmes një shembulli konkret, përgatiten për profesionet e ardhshme që lidhen me mjedisin, punën kërkimore dhe shkencore – tha ajo.
Lashkoska theksoi gjithashtu se, duke pasur parasysh se për lumin Treska nuk ishin bërë kërkime të tjera më parë, ky projekt duhet të jetë një nxitës dhe ide për aktivitete të ardhshme.
- Mbrojtja dhe ruajtja e biodiversitetit të lumit Treska nga njëra anë mundëson kuptimin dhe ndërgjegjësimin për ndikimet e aktiviteteve të njeriut mbi cilësinë e ujërave të lumenjve, botën e gjallë dhe biodiversitetin e lumit, ndërsa nga ana tjetër, rrit njohuritë dhe ndërgjegjësimin për vlerën dhe kompleksitetin e mjedisit dhe për aktivitetet e nevojshme dhe të mundshme për ta mbrojtur dhe ruajtur këtë pasuri natyrore – shtoi zëvendësministrja.
- Ajo që e bën këtë projekt dhe këtë analizë të vlefshme për vëmendje është fakti se përfshin edhe pjesën e rritjes së ndërgjegjësimit publik dhe përgjegjësisë së çdo individi, sepse në fund të ditës, kujdesi për ujin nuk është vetëm përgjegjësi e shtetit dhe institucioneve, ajo është përgjegjësi e çdo njeriu, sepse të gjithë jemi pjesë e hapësirës së përbashkët në të cilën jetojmë – tha Lashkoska.
Në kuadër të ngjarjes, u mbajt dhe një diskutim në panel me titull "Rruga drejt ruajtjes së Treskës", ku u ndanë rezultatet e kërkimit dhe u realizua planifikimi i përbashkët i hapave të ardhshëm për përmirësimin e gjendjes së lumit Treska. Në ngjarje morën pjesë ekspertë, profesorë, përfaqësues nga Ambasada e Kanadasë, përfaqësues nga organizata joqeveritare, si dhe aktivistë rinorë që janë të angazhuar në fushën e ruajtjes së burimeve natyrore, luftës kundër ndotjes dhe mbrojtjes së ekosistemeve ujore.