Mexhiti takoi ambasadoren Aggeler: Partneriteti strategjik me SHBA-të është një udhërrëfyes kyç për të ardhmen tonë

Lajme
Takim pune me Shkëlqesinë e  Saj, Angela Aggeler, ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Partneriteti strategjik me SHBA-të është një udhërrëfyes kyç për të ardhmen tonë
25.04.2025

Shkup, 25.04.2025 Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti, sot në ambientet e Qeverisë realizoi një takim pune me Shkëlqesinë e  Saj, Angela Aggeler, ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Takimi u zhvillua në një atmosferë jashtëzakonisht konstruktive, pune dhe miqësore, ku fokusi u vendos në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve partnere mes dy shteteve, qeverive dhe qytetarëve të tyre.

U theksua rëndësia e partneritetit strategjik që Republika e Maqedonisë së Veriut ka me ShBA-të, në nivel bilateral edhe multilateral, veçanërisht mbështetja e vazhdueshme që ShBA i jep realizimit të prioriteteve strategjike të Maqedonisë së Veriut.

 

Partneriteti strategjik me SHBA-të është një udhërrëfyes kyç për të ardhmen tonë

 

Nga ana e zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti u konfirmuan dhe u ritheksuan përkushtimet e Qeverisë për vazhdimin e reformave në drejtim të përmbushjes së proceseve eurointegruese të Maqedonisë së Veriut.

 U nënvizua edhe niveli i shkëlqyer i bashkëpunimit mes dy vendeve në NATO, si një parakusht thelbësor dhe i rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë.

U diskutuan edhe tema që lidhen me reformat në drejtësi dhe nevojën për rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet dhe procedurat gjyqësore. U bisedua edhe për vazhdimin e luftës kundër korrupsionit në shtet, si një parakusht thelbësor për ndërtimin e një demokracie funksionale.
Nga të dy bashkëbiseduesit u shpreh kënaqësia për intensifikimin e realizimit të projekteve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D, ku nga z. Mexhiti u theksua përkushtimi i Qeverisë ndaj këtij prioriteti.

Në fund të takimit u ritheksua interesi i përbashkët për një bashkëpunim të vazhdueshëm, miqësor dhe partner mes dy shteteve dhe qeverive.

Galeria
Submitted by alfa4 on 25.04.2025 - 15:15