
Shkup, 26.03.2025 Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot ka realizuar takim pune me drejtorët e Parqeve Nacionale të Sharrit dhe Pelisterit, Emir Huseini dhe Ivanço Toshevski.
Mexhiti me dy drejtorët gjatë takimit ka biseduar për planet investuese të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, siç është ndërtimi i objekteve të reja – Info qendrave për nevojat e këtyre dy Parqeve Nacionale.
Infot qendrat do të përmbushin të gjitha standardet mjedisore dhe do të shërbejnë për promovimin e këtyre parqeve kombëtare, si dhe edukimin e të interesuarve.
Mexhiti informoi gjatë takimit se për realizimin e këtyre projekteve, ndërmarrjet publike Mali Sharr dhe Pelisteri duhet të propozojnë lokacione, dokumente të nevojshme si dhe leje ndërtimi në mënyrë që të përfundojë procedura e tenderimit dhe mbikëqyrja e ndërtimit.
Sipas Programit vjetor të ministrisë për Natyrën për vitin 2025 dhe Planit të Prokurimit Publik për vitin 2025, realizimi i info qendrave – shtëpizave në Malin Sharr dhe Pelister arrin shumën prej 7.023.305,00 denarë.
Për përkrahjen e parqeve nacionale, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, përmes programit investues, mbështet aktivitete në të katër parqet nacionale në vlerë prej 20.000.000,00 denarë, përkatësisht grant për Malin Sharr në shumë prej 6.000.000,00 denarë, grant për Parkun Nacional të Mavrovës prej 6,000,000,00 denarë, për Parkun nacional të Galiçicës në vlerë prej 4.000.000,00 denarë, dhe grant për Parkun Nacional Pelister në vlerë prej 4.000.000,00 denarë.
Të gjitha projektet e granteve kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së gjelbër në parqe me qëllim të gjenerimit të burimeve financiare shtesë për Parqet nacionale si dhe fushatën dhe mbrojtjen e biodiversitetit.