
Shkup, 21.02.2025
Mexhiti theksoi se vlera e përgjithshme e projektit të mbështetur nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është mbi 9 milionë denarë dhe është një projekt shumë thelbësor për banorët e rrugës Nexhat Agolli.
“Ky projekt do të lidhë rreth 50 amvisëri në rrjetin e ri të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe me përfundimin e tij për dy muaj, banorët do të kenë edhe një rrugë të asfaltuar plotësisht me vlerë të përgjithshme prej 2.8 milionë euro”
- tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Ai shtoi se me këtë projekt fillon realizimi i një sërë projektesh infrastrukturore në komunën e Çairit, me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Si Ministri dhe si Qeveri, shtoi Mexhiti, po investojmë në të gjitha komunat për një qëllim të vetëm, përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve që na dhanë votën dhe mbështetjen për të punuar për ta.