Mexhiti: Përmirësimi i cilësisë së ajrit është një nga prioritetet strategjike të Qeverisë

Lajme
Izet Mexhiti, sot mori pjesë dhe mbajti një fjalim për prezantimin e rezultateve për burimet e ndotjes së ajrit në pesë komuna
Mexhiti: Përmirësimi i cilësisë së ajrit është një nga prioritetet strategjike të Qeverisë
14.10.2024

Shkup, 14.10.2024 – Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot mori pjesë dhe mbajti një fjalim për prezantimin e rezultateve për burimet e ndotjes së ajrit në pesë komuna, të organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Në këtë ngjarje, ku u prezantuan rezultatet e studimit, Mexhiti theksoi se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është e gatshme t'u ndihmojë njësive të vetëqeverisjes lokale në planifikimin dhe zbatimin e masave efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në komunat e tyre.

 

Mexhiti: Përmirësimi i cilësisë së ajrit është një nga prioritetet strategjike të Qeverisë

 

“Është e qartë se për të zgjidhur në mënyrë efektive ndotjen e ajrit, është thelbësore të kuptojmë rrënjët e problemit. Kjo është arsyeja pse jemi këtu për të dëgjuar nga ekspertët dhe akademikët rezultatet e analizës së thellë për zbulimin dhe identifikimin e burimeve lokale të ndotjes së ajrit, të cilat janë të një rëndësie të madhe për formimin e politikave, masave dhe veprimeve prioritare që janë urgjentisht të nevojshme në luftën tonë të përbashkët kundër ndotjes së ajrit,”

-tha Mexhiti.

Rezultatet e studimit për burimet në pesë komuna – Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Kavadar dhe Strugë – identifikuan drutë për ngrohje si burimin më të madh të ndotjes së ajrit. Megjithatë, ekzistojnë dallime të konsiderueshme mes komunave që duhet të merren parasysh gjatë krijimit të masave dhe politikave për përmirësimin e cilësisë së ajrit, sugjerojnë përfundimet e studimit të përgatitur nga laboratori Ambikon pranë Universitetit Goce Dellçev në Shtip, të prezantuara nga rektori prof. Dejan Mirakovski.

 

Mexhiti: Përmirësimi i cilësisë së ajrit është një nga prioritetet strategjike të Qeverisë

 

Sipas përfaqësuesit të përhershëm të UNDP-së, Armen Grigorjan, ndotja e ajrit është një sfidë e rëndësishme për vendin dhe UNDP me mbështetjen financiare të Suedisë, po punon intensivisht për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme.

"Në bashkëpunim me institucione dhe organizata të shumta, kemi bashkuar shkencën, dijen, mbështetjen institucionale, vizionin dhe optimizmin. Në vitin 2020, për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, kryem një cikël të plotë studimesh. Duke përdorur pajisje moderne të financuara nga Suedia posaçërisht për këtë qëllim, materialet e mbledhura u analizuan dhe u përgatit studimi i parë i këtij lloji për shpërndarjen e burimeve në vend. Këtë vit, studimi u realizua në pesë komuna dhe rezultatet do të drejtojnë përpjekjet tona të ardhshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit,”

-tha Grigorjan.

Rezultatet e marra nga një monitorim njëvjeçar dhe analizimi i më shumë se 1000 mostrave në të gjitha pesë komunat, treguan se djegia e biomasës (drurëve) për ngrohje është burimi më i madh, ndjekur nga trafiku dhe pluhuri mineral, të cilët kanë një ndikim më të madh gjatë muajve të verës.

Projekti është pjesë e Programit Kornizë të UNDP-së, i cili është financuar nga Suedia dhe përfshin projektin “Fuqizimi i kapaciteteve komunale për zbatimin e projekteve.

Galeria
Submitted by alfa4 on 14.10.2024 - 15:53