Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti ka takuar gjatë ditës së djeshme Zëvendësambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicole Varnes.
“Dje zhvillova një takim shumë të frytshëm me Zëvendësambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicole Varnes. E falënderova për mbështetjen e palëkundur që SHBA i jep Maqedonisë së Veriut, sidomos në procesin e integrimit në BE.
Diskutuam për marrëdhëniet e forta midis vendeve tona dhe për rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët”-është deklaruar Mexhiti.
Ai më tej ka sqaruar se në këtë takim, ka nënvizuar se, përveç përgjegjësive si zëvendëskryeministër, roli i tij si Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor merr një rëndësi të veçantë për shkak të sfidave të mëdha mjedisore me të cilat po përballemi. Këtu përfshihet kriza energjetike, ndotja dekadëshe e ajrit, menaxhimi i mbetjeve, sigurimi i furnizimit me ujë të pastër dhe trajtimi i ujërave të zeza.
“Theksova gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në përballjen me krizën klimatike dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Jam plotësisht i përkushtuar ndaj politikave që mbrojnë mjedisin, sepse kjo është mënyra më e mirë për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, një prioritet i domosdoshëm”- është shprehur Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti.