Zëvendës kryeministri i Parë Mexhiti takoi ndihmës sekretarin amerikan për Resurse Energjetike, Xhefri Ros Pajat

Lajme
Тakim pune me ndihmës sekretarin amerikan për Resurse Energjetike
Zëvendës kryeministri i Parë Mexhiti takoi ndihmës sekretarin amerikan për Resurse Energjetike, Xhefri Ros Pajat
10.09.2024

(Uashington 10 Shtator 2024)  Gjatë vizitës  zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zëvendës kryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, realizoi takim pune me ndihmës sekretarin amerikan për Resurse Energjetike, Xhefri Ros Pajat.

Mexhiti informoi se në këtë takim, i shoqruar nga ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska kanë diskutuar mbi gjendjen me burimet energjetike të vendit dhe planet për investime afatgjate në këtë sektor vital ekonomik.

'Gjatë takimit, diskutuam për resurset energjetike në vendin tonë, duke u fokusuar veçanërisht në investimet që kemi planifikuar për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të gjelbra. Një nga objektivat tona kryesore është zvogëlimi i varshmërisë nga importi i energjisë nga vendet e tjera' tha Mexhiti.

Zëvendës kryeministri i Parë ka deklaruar se një pikë e rëndësishme e bisedës me ndihmës sekretarin amerikan të energjisë ka qenë edhe kyçja e Maqedonisë së Veriut në gazsjellësin transanadolian (TANAP) dhe atë transadriatik (TAP), si plan për uljen e ndjeshme të varshmërisë nga importi i energjisë nga jashtë, që sipas tij do të kontribuojë në stabilitetin energjetik të vendit.

'Informova për planin afatgjatë që qeveria jonë është duke përpiluar në fushën e energjetikës, për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ujërave në vend. Angazhimi për një të ardhme të gjelbër mbetet prioriteti ynë', ka deklaruar Mexhiti, i cili po qëndron për vizitë zyrtare disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Submitted by alfa4 on 11.09.2024 - 09:50