Të nderuar panelistë, ministër z. Zlatko Perinski, profesor Rizvan Sulejmani, profesor Nano Ruzhin, profesor Afrim Osmani, profesor Bujamin Bela, të nderuar mysafir, ministër Orhan Murtezani, ministër Arben Taravari, të nderuar liderë të partive, i nderuar kryetar i OEMVP z. Mendi Qyra, i nderuar rektor i UNT z. Izet Zeqiri, z. Pruthi, z. Halili, z. Hajredini, të nderuar profesorë, drejtorë dhe të gjithë ju të pranishëm.
Faleminderit për mundësinë që të drejtohem përpara këtij paneli të rëndësishëm. Duke ju uruar punë të mbarë, dëshiroj të theksoj faktin se shoqëria jonë ka nevojë për më shumë dialogje të kësaj natyre dhe unë si zëvendëskryeministër do të jem gjithmonë mbështetës i nismave të këtilla.
Të nderuar panelistë,
Në 23 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia e veriut është anëtare fuqiplote e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo nënkupton se Maqedonia e veriut sot është eksportues i paqes dhe stabilitetit si në rajon, ashtu dhe në misionet paqeruajtëse të NATO-s kudo në botë. Pra, cënimi i paqes nuk është më një opcion për vendin tonë dhe sfida e klasës politike sot është si t’i bëjmë institucionet më të fuqishme, gjyqësorin më të pavarur, mediat më të lira, demokracinë më funksionale, decentralizimin më efikas.
Megjithatë, edhe pas 23 viteve të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, decentralizimi edhe më tej vazhdon të mbetet sfidë.
Si një ish kryetar komune, dhe më besoni, kam qenë kryetar komune në kohërat më të vështira për një komunë të sapoformuar dhe për një kryetar të sapozgjedhur, e kuptoj dhe e njoh në thelb kompleksitetin e këtij procesi. Decentralizimi është një materie e gjallë, dinamike, që ndryshon siç ndryshojnë nevojat e qytetarëve, dhe për këtë arsye është detyrë e pushtetit qëndror që të angazhohet shumë më shumë në fuqizimin e autoriteteve lokale duke ju ofruar atyre më shumë resurse, më shumë pavarësi, më shumë mundësi për zhvillim dhe efikasitet, sepse komunat janë dera e parë ku qytetarët drejtohen kur kanë nevojë.
Unë nuk do ta zgjas shumë dhe nuk do të merrem me aspektet e veçanta – problemet specifike të decentralizimit. Por, parimisht, do të them se na nevojitet një rishikim i zgjidhjeve të vendosura disa vite më parë. Ka shumë sfera në të cilat ndarja e kompetencave në praktikë gjegjësisht në terren duket absurditet. Në ato aspekte nevojitet një ridefinim dhe riorganizim i mekanizmave dhe zgjidhjeve ekzistuese ligjore.
Natyrisht se nuk do ta anashkaloj problemin e decentralizimit fiskal. Komunat kanë nevojë për më shumë pavarësi financiare dhe për më shumë grumbullim taksash. Ato nuk mund të jenë të vetësuportuara pa pavarësi financiare, dhe pavarësia financiare është garancë për mosndërhyrje të pushtetit qëndror në mënyra arbitrare në punët dhe kompetencat e pushtetit lokal.
PUSHTETI LOKAL KA NEVOJË PËR FUQIZIM TË DECENTRALIZIMIT FISKAL, RRJEDHIMISHT PËR MË TEPËR MJETE FINANSIARE, DHE JO VETËM DECENTRALIZIM TË OBLIGIMEVE. QË DON TË THOTË KOMPETENCAT E SHTUARA DUHET TË NDIQEN NGA MJETE FINANSIARE TË SHTUARA.
KJO DO TË IMPONOJË NJË KONCEPT TË RI TË ZHVILLIMIT EKONOMIK NGA POSHTË - LARTË, DHE JO NGA LARTË - POSHTË, QË DOMETHËNË KOMUNAT DO TË JENË GJENERATORË TË ZHVILLIMIT DHE JO VETËM AKUMULUES TË PROBLEMEVE.
Dua të potencoj që kjo qeveri reformatore, për herë të parë bën një hap cilësor në fuqizimin e decentralizimit në vendin tonë, duke ndarë rreth 100 milion euro për nevojat e komunave, mjete të cilat në mënyrë të drejtëpërdrejtë do të përmirësojnë infrastrukturën, shërbimet publike si dhe cilësinë e jetës së qytetarëve vetëm në vitin aktual 2024.
Gjatë viteve kemi parë se komunat tona përballen me probleme të mëdha në sferën e mbrojtjes së mjedisit jetësor. Nga ky panel po bëj thirrje për më shumë kompetenca për komunat për të trajtuar problemet ambientaliste dhe për zgjidhjen e telasheve ekzistenciale siç është ndotja e ajrit, ndotja e lumenjve, ndotja e pyjeve e të ngjashme, që paraqesin sfida serioze për qytetërimin.
Një tjetër problem i rëndësishëm i decentralizimit është arsimi. Përskaj faktit se është një nga kompetencat më të decentralizuara, rezultatet nga matjet që bëjnë organizatat relevante për cilësinë në arsim nuk janë shpresëdhënëse. Matjet e fundit të PISA-s flasin për ngecje të nxënësve në lexim, matematikë si dhe në kreacion dhe inovacion, krahasuar me mesataren e vendeve të OECD-s. Ky është një alarm që seriozisht duhet të meret në konsideratë, si nga pushteti vendor ashtu edhe nga ai qëndror. Arsimi nuk është dhe nuk duhet lejuar të bëhet temë e pazareve politike ditore, por kërkon një qasje strategjike gjithëpërfshirëse afatgjate. Puna e parë në këtë drejtim është depolitizimi për llogari të profesionalizimit të arsimit. Një arsim ku qartë do të jenë të definuara kompetencat dhe përgjegjësitë e pushtetit lokal dhe atij qendrorë, ku cilësia, kreativiteti, inovacioni do të jenë sendërtuar në sistemin arsimorë është garanci se gjeneratat që lëmë pas do të jenë të gatshme tu përgjigjen sfidave të kohës.
Do të përqëndrohem edhe te një temë delikate e cila lidhet me decentralizimin – siguria.
Të nderuar të pranishëm,
Siguria e popullatës është një nga premtimet e kësaj qeverie, që nuk duhet anashkaluar. Përskaj faktit se kompetencat në mes të pushtetit lokal dhe atij qendror në këtë sferë nuk janë deri në fund të precizuara, roli i komunës dhe pushtetit lokal nuk mundet në asnjë mënyrë të nënvlerësohet. Komuna në bashkëpunim me qytetarët janë atë që më së miri i dijnë se ku janë vatrat e grupeve kriminale dhe ata të prishjes së rendit publik. Andaj, duhet të ngrihen mekanizma efikas ku qytetari do të jetë ruajtës aktiv i sigurisë, në vend që të jetë viktimë e krimit dhe gupeve kriminale. Për këtë qëllim nevojitet një bashkëpunim më i madh dhe më efektiv i këshillit komunal, kryetarit të komunës me policinë dhe organet e sigurisë, nëse duhet edhe përmes intervenimit në ligjin e policisë dhe atë të sigurisë publike.
Të nderuar të pranishëm,
Ditëve të fundit është ringjallur tema e Marrëveshjes së Ohrit, por për fat të keq, jo në dritën e saj pozitive por më tepër si instrument për manipulimin e opinionit. Më lejoni ta pëmbylli fjalën time sot duke thënë se Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje për shtetin – nuk është marrëveshje për pjesëmarrjen në pushtet të një partie politike përjetësisht. Periudha përpara nesh do të jetë periudhë në të cilën ne do të hapim një etapë të re të politikës dhe politikëbërjes. Maqedonia e veriut, nga një shtet / shoqëri me marrëveshje, do të avancojë drejt një shoqërie të ‘marrun vesh’- pra, nga një shoqëri post-konfliktuale, funksionimi i të cilës garantohet nga një marrëveshje paqesore, detyra jonë është që Maqedoninë e veriut ta bëjmë një shoqëri moderne në të cilën institucionet do ta reflektojnë barazinë e plotë në çdo nivel dhe dimension të funksionimit. Me pak fjalë, ne nuk mund të rrijmë duke u marrë vesh pafundësisht. Tani ka ardhur koha që marrëveshjet e arritura të kthehen në bazë për modernizimin dhe europianizimin e shtetit.