Edhe në gjashtë fshatra të komunës së Vrapçishtit do të ndërtohen rrjete të kanalizimit

Vrapciste1(31.03.2016) Мinistri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi dhe kryetari i komunës së Vrapçishtit Bajram Kadrija, sot nënshkruan marrëveshje për financimin e hartimit të dokumentacionit teknik për projekte që do të realizohen në komunën e Vrapçishtit. Me këtë marrëveshje, në periudhën e ardhshme duhet të hartohet dokumentacioni teknik me revizion për sistemet e kanalizimit në gjashtë fshatra ku kjo çështje ende nuk është zgjidhur.

Mjetet në shumë prej tre milionë denarësh janë siguruar nga Programi i investimeve për mjedisin jetësor të Ministrisë për vitin 2016.

- Për ne është shumë me rëndësi të zgjidhen çështjet e hapura dhe të plotësohen nevojat e qytetarëve, sidomos në pjesën e sigurimit të infrastrukturës themelore. Ky është parakusht për përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe për ruajtjen e mjedisit jetësor, si në këtë rajon, poashtu edhe në territorin e tërë shtetit. Me dokumentacionin e hartuar teknik , komuna në të ardhmen do të mund të aplikojë dhe të kërkojë mbështetje financiare për realizimin e tyre, deklaroi ministri Nurhan Izairi, pas nënshkrimit të marrëveshjes në ndërtesën e komunës së Vrapçishtit.

Kryetari i komunës Bajram Kadrija shprehu kënaqësi për bashkëpunimin e deritanishëm me Ministrinë, si dhe për mbështetjen që komuna e Vrapçishtit e mori me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Kjo është posaçërisht e rëndësishme për zgjidhjen më të shpejtë dhe më të suksesshme të kërkesave të qytetarëve të paraqitura të pushteti lokal.

- Ky është hap i rëndësishëm në përpjekjet tona për të përmirësuar jetesën e bashkëqytetarëve tanë, por edhe kujdesin për shëndetin dhe për natyrën. Krahas tri fshatrave për të cilat tanimë është siguruar sistemi i kanalizimit, me këtë marrëveshje do të fillojë procedura për zgjidhjen e këtij problemi infrastrukturor, i cili tanimë një kohë të gjatë është aktual, edhe për gjashtë fshatra më të mëdha të komunës siç janë: Vrapçishti, Dobërdolli, Senakosi, Toplica, Negotina e Pollogut dhe Gradeci. Bëhet fjalë për rrjet të kanalizimit gjatësia e të cilit është rreth 50 kilometra, tha kryetari i komunës së Vrapçishtit Bajram Kadrija.

Мinistri Izairi njoftoi se sivjet pritet të përfundojë ndërtimi i stacionit të filtrimit për ujësjellësin në fshatin Vrapçisht.