Po punohet në mënyrë intensive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vendin tonë

Programi “BE-ja për ajër të pastër”, që përfshin disa aktivitete projekti, si dhe niveli i zbatimit të aktiviteteve për largimin e kimikateve të rrezikshme të ruajtura prej dekadash në deponinë e vogël në ish-kompleksin industrial “OHIS”, ishin temat e takimit të sotëm që sekretarja shtetërore në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova e realizoi me drejtorin operativ dhe menaxherin e programit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Aleksandru Albu dhe Adriana Micu, Specialiste për Komunikim dhe Partneritet në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), Vera Jovanoviq dhe menaxheri i programit të UNOPS, Aleksandar Vladiçevski.

eu

Në takim u theksua rëndësia e shkëmbimit të vazhdueshëm të informatave si dhe koordinimi më i ngushtë i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, UNOPS-it dhe palëve relevante kombëtare me institucionet përgjegjëse për zbatimin e projektit evropian për ajër të pastër, të udhëhequr nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor: Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale – dhe institucionet e tjera përkatëse që janë përgjegjëse për ajër më të pastër, duke përfshirë edhe njësitë e vetëqeverisjes lokale.

U diskutua gjithashtu edhe për rolin e stacioneve mobil të monitorimit si një plotësues cilësor i sistemit monitorues shtetëror që duhet të ndihmojë vetëqeverisjet lokale në monitorimin e cilësisë së ajrit, njëkohësisht u fol edhe për gjelbërimin urban dhe rolin e tij në reduktimin e grimcave të dëmshme ajrore në vendbanimet urbane, efikasitetin energjetik të ndërtesave publike, ndërrimin e sistemeve të ngrohjes jo mjedisore, prokurorimin e autobusëve të rinj për transport më ekologjik në Shkup dhe të ngjashme.