Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Hristina Oxhaklieska dje ka pasur një takim pune me përfaqësues të Bankës Botërore për të diskutuar mundësitë për mbështetjen e aktiviteteve që do të përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe do të përshpejtojnë kalimin në shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në vendin tonë. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Qendrës informative të Maqedonisë për Mjedisin Jetësor dhe përfaqësues të Sektorit për Bashkimin Evropian.
Në takim, zëvendësministrja Oxhaklieska foli për aktivitetet e vazhdueshme dhe të planifikuara për uljen e ndotjes dhe për rëndësinë e mbikqyrjes së inspektimeve efektive mjedisore. Gjithashtu u diskutua edhe për mundësitë për sinergji me projektet që realizohen nga Banka Botërore në fushën e efiçiencës së energjisë, duke pasur parasysh se sektori i energjisë, veçanërisht emetimet që vijnë nga djegia e lëndëve djegëse fosile dhe përdorimi i sobave joefikase energjetike në amvisëri dhe kapacitetet administrative janë një burim kyç i emetimit të grimcave të ngurta që janë një ndotës kritik në vendin tonë.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore shprehën gatishmërinë për të mbështetur zbatimin e Planeve për Përmirësimin e Cilësisë së Ajrit në nivel lokal, si dhe për të mbështetur dhe bashkëpunuar me projektet IPA të zbatuara në nivel kombëtar.